Para disa ditësh isha në presidencë, në ndërtesën e kuvendit dhe në recepsion ishte një burrë rreth të 50’tave.
“He, çka po don ti?”
U prezantova dhe fillova t’i shpjegoj se pse jam aty dhe që kam komunikuar me stafin e presidencës paraprakisht. Përderisa po sqarohesha, më ndërpreu ashpër – “bima letërnjoftimin”.
E kapi telefonin dhe pas rreth 30 sekondave mu drejtua – “s’koka kërkush aty, po prit nja 5 minuta nashta kthehen”.
Hupa kohë duke i dëgjuar disa fjalime në oborr për shënjimin e një dite “të rëndësishme” dhe pas rreth 5 minutave po e pyes prapë zyrtarin që me e provu edhe njëherë me e telefonu – “mos janë kthy”.
“A je për ngut’ ti djalë a?”
“Paj s’është edhe që kom shumë kohë”
“Që t’pritet prit, që don shko, se ti je n’zor për kta, kta s’janë n’zor për ty”
M’shokoj’ kjo fjali.
“Qysh po mundesh more me thon që NA jena n’zor per kta, kur na ja pagujna rrogat, e teshat, e buken e kerret e shtrejta e i kena pru këtu. Unë asnjë zor për kërkon s’kam, punoj e i dho zor pa llogaritë n’ta, po edhe ty edhe krejt këtu që punoni, na çdo muaj ju pagujna pagat. Ma e pakta që mundesh me bo është me qenë i sjellshëm, edhe me pas pak dinjitet se je tu punu në parlamentin e Kosovës, vendin e popullit”.
Erdhi një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt të njërit nga politikanët “e rëndësishëm” e i cili e dëgjonte “bisedën”. Autoriteti i tij i mveshur me një “mantel të padukshëm” e “shukati” recepsionistin i cili nuk më tha asnjë fjalë më.
Mirëpo, mendova për një moment se s’ka si me mendu ndryshe zyrtari. S’mundem me e fajësu.
Ata e kanë atë mënyrë të të menduarit sepse, thjeshtë, gjithë jetën janë ekspozu ndaj autoritetit e pushtetit si inferior. Ai asnjëherë nuk ka pasur mundësi me e përjetu fuqinë e vet dhe të komunitetit të tij për me ndiku diçka tek ai autoritet. Sepse në realitetin e tij, shkëmbimi i dinjitetit për ta ushqyer familjen e tij, është një shkëmbim i nevojshëm dhe i domosdoshëm.
Erdhi zyrtari nga presidenca, e përfunduam punën, dhe duke u larguar, ju drejtova recepsionistit. – M’fal nëse t’rëndova sepse s’kam kurgjo personale me ty, mirëpo kuptoje që ata kanë nevojë për neve – Ki pak ma shumë dinjitet për veten bile!”
Për mua, çështja edhe pyetja kryesore që duhet t’ja bëjme vetës, individualisht por me kryesorja, si shoqëri, është se çka duhet të bëjmë me një realitet të tillë e të hidhur? Çka duhet të bëjmë me një numër tepër të madh të shërbyesve civil të cilët e kanë këtë mendësi?
Unë mendoj që janë vetëm dy rrugë që mund ti ndjekim:
(Argumenti i dhembshurisë).
Ne mund të vazhdojmë të pajtohemi me realitetin e hidhur – “kta kanë kontribu me vite të tëra aty dhe vetëm po provojnë të mbijetojnë si të gjithë të tjerët”. Ne vazhdojmë të ndihemi keq pse është kjo gjendje, mirëpo nuk ndërmarrim veprime që të zgjidhim këtë problem. Kjo i bije të vazhdojmë me qasjen “na jemi n’zor për ata”.
(Argumenti i vështirësisë)
Të vendosim që seriozisht edhe rrënjësisht të reformojmë mendësinë tonë me veprime konkrete.
Cilëndo rrugë qe ne si shoqëri e ndërmarrim, është vetëm një rrezik që nuk guxojmë ta nënvlerësojmë.
Në qendër të gjithë procesit, duhet të jetë DINJITETI i këtij zyrtari i cili beson që “ata s’janë n’zor për të, prandaj s’ka dinjitet”. Ai duhet të trajtohet me dinjitet nga të gjithë ne, por sidomos nga qeveria e ardhshme si për nga “paketa ekonomike” – pension, shërbime shëndetësore falas, edukim të fëmijëve të tij, etj.”, por edhe nga vlerësimi që duhet të ua bëjmë ne si shoqëri të gjithëve që kanë jetu në Kosovë e janë detyru me humb dinjitetin që me mbijetu. Ne si shoqëri kemi leju që njerëzit të detyrohen të pajtohen me padrejtësi, e humbje të dinjitetit, dhe thjeshtë janë dorëzuar sepse s’besojnë më në asgjë.
Ngritja e besimit të dinjitetit shoqëror nuk duhet të bazohet thjeshtë në një besim të ri ndaj një kaste të re politike, mirëpo duhet të shihet si proces i vazhdueshëm i transformimit shoqëror që vazhdimisht është kritike ndaj politikës, me qëllim të kritikës konstruktive e jo destruktive.
Hapi i pare që ti mundësh me kontribu drejt arritjes së një shoqërie që ka dinjitet, është me fillu me mendu ndryshe, e pastaj me reagu (call out), sa here që e atakon një mendësi pa dinjitet.
Hapi i dytë që mundesh me ndërmarrë është me dal me votu. Prandaj, dilni votoni për këdo që mendoni që mundet me kontribu në këtë mendësi – sepse mos-vota është vote për vazhdimin e mendësisë së njëjtë – mos-vota është votë për vazhdim të mungesës së dinjitetit.
Erblin Hoxha ka perfunduar studimet bachelor në Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës ndërsa përfundoj masterin në Ekonomi Politike Ndërkombëtare në Universitetin e Teksasit në Dallas. Momentalisht mbanë pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Debate Center.