Diskutimi i dytë i serisë YOUth ELECT u mbajt për temën “Një reflektim mbi përcaktimin për votim” dhe për të shtjelluar këtë temë më mirë kishim të ftuar: Jeta Xharra (gazetare), Agnesa Haxhiu (hulumtuese në KDI) dhe Adnan Rrustemi (kandidat për deputet nga LVV). Ky debat kishte për qëllim që të ju ofrojë të rinjve një pikëpamje të re për të ju ndihmuar për të bërë prioritizimet në kohë të votimit. Si zakonisht, ky debat u parapri me një sondazh me pyetjen: A është më i rëndësishëm votimi për kandidatët apo partinë? ku shumica e të anketuarve u përgjigjën se votimi për kandidatët është më i rëndësishëm. Përgjigja e kësaj pyetje e zhvilloi edhe debatin më të madh në kuadër të këtij diskutimi, pra, a të votohet kandidati për partinë, apo partia për kandidatin. Së bashku me publikun dhe folësit ramë në përfundim që votimi i partisë është më i rëndësishëm, për disa arsye që do t’i përmendim më poshtë.
Së pari, në diskutim u fol për traditën dhe edukimin e qytetarëve për të zgjedhur nga 5 kandidatë në çdo zgjedhje. Sipas sistemit zgjedhor të Kosovës, kur votohet, duhet të paracaktohet një parti dhe pastaj të votohen 5 kandidatë të saj. Sipas znj. Xharra, kandidatët janë ata që shikohen në mënyrë më të detajizuar sesa partia, pasi që partia veç dihet në momentin që fillon procesi zgjedhor. Ndërsa qytetarët ndihen me më shumë përgjegjësi kur votojnë 5 kandidatët, dhe si pasojë i shikojnë më mirë programet e tyre deri sa të bëjnë zgjedhjen e 5-shes së preferuar. Poashtu, për kandidatët flitet dhe pyetet më shumë gjatë fushatës zgjedhore. Kjo shihet si arsye se pse në sondazh shumica janë përgjigjur që ata prioritizojnë kandidatët kur votojnë.
Në anën tjetër, sipas të ftuarve tanë, një individ i vetëm që konsiderohet i duhuri në mes të një partie që nuk i pëlqeni idealet e saj, është shumë e mundur që do t’ju zhgënjejë. Znj. Xhaferi tregoi që sipas një hulumtimi që kanë bërë, kanë parë se shumicën e kohës deputetët votojnë njëjtë me grupin e tyre parlamentar. Herat kur disa deputetë kanë dalë kundër grupit të tyre parlamentar janë shumë të rralla. Por, edhe kur ndodhë, gga historia e deri tanishme e politikës në Kosovë, kemi parë se deputetët që dalin kundër partisë zakonisht nuk kanë sukses në ndërrim të qëndrimit të asaj partie. Përkundrazi, ata deputetë përjashtohen apo penalizohen në mënyra të ndryshme, pra nuk ju ofrohet një forum ku mund të japin mendimet e tyre kontradiktore. Raste të tilla kemi pasur edhe kohët e fundit ku disa deputetë janë përjashtuar apo u është detyruar dalja nga partia për shkak të mendimeve kontradiktore. Prandaj, nëse votohet një individ bindjet e të cilit ju pëlqejnë, por ai i përket një liste partiake që nuk i mbështet bindjet tuaja, ka shanca të mëdha që ai individ nuk do të mundet të sjellë ndryshimin e pritur.
Edhe sipas z. Rrustemi, është partia ajo që duhet të prioritizohet. Kandidati për deputet nga rradhët e LVV na tregoi që në parti bindjet janë pakashumë të njëjta, pasi që kur personat vendosin të kandidojnë për deputetë ata veçse përputhen me planprogramin të cilin e përfaqësojnë. Prandaj, shumicën e kohës nëpër parti do të gjejmë bindje që ndryshojnë pak nga njëri anëtar në tjetrin. Sidoqoftë, për disa çështje relativisht të reja, siç janë problemet e ambientit, nëpër parti shohim pikëpamje të ndryshme nga kandidatë të ndryshëm.Për këto çështje partitë nuk kanë japur një mendim të caktuar, për shumicën e çështjeve e problematikave prezente shumica e kandidatëve të një partie ofrojnë zgjidhje të njëjta.
Si përfundim, nga të gjithë folësit tonë kuptuam që është e rëndësishme të votojmë e të caktojmë cila parti na pëlqen më shumë dhe cila na përputhet me planet tona për ndryshim. Individët, kandidatët, janë çështje që caktohen pas përcaktimit të një partie.