Në diskutimin e parë të serisë YOUth ELECT u fol për temën “Ideologjitë politike dhe procesi i votimit”. Në këtë diskutim kishim të ftuar z. Anton Vukpalaj, profesor i shkencave politike, z. Rene Schlee, politolog dhe drejtor i FES Kosova, z.Vigan Sejdiu, ndërsa në cilësinë e moderatorit kishim z.Erblin Hoxha. Qëllimi parësor i këtij diskutimi ishte informimi i votuesve të rinj në lidhje me ideologjitë politike dhe situatën në Kosovë. Prandaj, si hap i parë u hapën disa sondazhe për të shikuar sa janë të rinjtë të informuar mbi ideologjitë politike, si dhe të shihet se a mendojnë ata që programet e partive politike në Kosovë përputhen me kahjen e tyre ideologjike. Përmes sondazhit pamë që shumë prej të rinjve mendojnë që programet e partive nuk janë të ndërlidhura me statutin ideologjik të partisë, mendim me të cilin u pajtuan edhe të gjithë folësit musafirë.
Diskutimi filloi me një prezantim mbi ideologjitë, kuptimin dhe historinë e tyre nga profesori Vukpalaj. Profesori tregoi që ideologjitë janë të ndara në dy grupe kryesore: të djathta dhe të majta dhe shkurtimisht tregoi karakteristikat dhe perspektivat e partive që i takojnë njërit krah apo tjetrit për çështjet ekonomike, të politikës së jashtme, të organitzimit shtetëror, të sigurisë etj. Ideologjia e majtë u prezantua si pikëpamja që kërkon një botë më të mirë, zgjidhje për të gjitha problemet dhe rritje të barazisë në shoqëri, ndërsa ajo e djathtë shihet si pikëpamje më konservative, që do liberalizëm ekonomik dhe botën e rendin shoqëror e konsideron të jetë në rregull. Pas kësaj hyrje ne pamë që të dy ideologjitë kanë pikëpamje diametralisht të kundërta kur vjen puna te gjetja e zgjidhjeve për problemet që shqetësojnë popullin. Prandaj, shihet se këto dy pikëpamje nuk mund të interferojnë dhe të konfuzohen me njëra tjetrën.
Si vazhdim, u bë një diskutim për status-quonë. Momentalisht në Kosovë, sipas folësve dhe publikut, programet partiake nuk përputhen me statutet e tyre ideologjike. Shumica e partive të regjistruara si të djathta prezantojnë dhe çojnë përpara politika që i përkasin politikave të majta dhe kjo vërehet si në premtimet parazgjedhore, si në politikat që ndjekin kur janë në qeveri. Së bashku me publikun u morrën disa shembuj ku partitë e djathta kanë negocuar për të rritur pagat e punëtorëve të sektorit të shtetit, apo rritje të administratës publike, dy gjëra që nuk përkrahen aq shumë nga teoria e ideologjisë djathtiste. Me këtë, kuptuam se të gjitha partitë në Kosovë kanë programe të ngjashme dhe luftojnë për kauza të ngjashme duke mos i përfillur statuset ideologjike që kanë. Sidoqoftë, më vonë u diskutua se në status quo, Kosova ka probleme shumë më bazike të cilat duhet të zgjidhen për të ardhur deri te ideologjia.
Si pikë interesante që erdhi pas mos përputhjes së programeve me ideologji ishin problemet kryesore në Kosovë dhe se si të gjitha ideologjit tentojnë t’i rregullojnë ato probleme. Pra, problemet si korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar janë problemet fundamentale të cilat duhet të zgjidhen sa më shpejt. Për zgjidhjen e këtyre problemeve nuk është e domosdoshme ideologjia e duhur, por veprimi i menjëhershëm i cilit do krah që është në qeverisje. Sipas z.Schlee, Kosova nuk është në një pikë ku duhet të shikohet cila ideologji të përshtatet dhe cila parti i takon asaj ideologjie, por duhet vetëm të konsiderohet se cila parti ofron zgjidhje për problemet më të mëdha të shoqërisë kosovare. Edhe folësit tjerë e publiku u pajtuan se problemet e Kosovës nuk kërkojnë domosdoshmërisht zgjidhje ideologjike, dhe se situata politike kosovare është pak larg me vendosjen e ideologjive dhe statuteve të partive që përshtaten me to. Për të përforcuar këtë mendim, profesori Vukpalaj bëri një analizë se si sistemet e organizimit të sferave të ndryshme të jetës janë ato që së pari duhet të ristrukturohen e të bëhen të qëndrueshme, pasi që, për shembull, kur nuk kemi një sistem të fortë ekonomik dhe të strukturuar mirë nuk mund të shohim se sa përzihet shteti aty dhe cila ideologji është e përshtatshme për të zhvilluar më tej atë sektor.
Si përfundim, nga ky diskutim morrëm një pikëpamje më të qartë mbi ideologjitë dhe fituam njohuri shtesë në ndarjen e tyre. Poashtu, pamë se si qëndron Kosova në raport me ideologjitë partiake dhe konstatuam se situata politike e Kosovës momentalisht nuk e ka prioritare përputhjen e programeve me ideologji, por zgjidhjen e disa problemeve me rëndësi jetike, pas të cilave mund të caktojmë ideologjitë. Folësit dhanë edhe disa mesazhe për votuesit e rinj. Z.Schlee i këshilloi ata të shikojnë programet e secilës parti dhe të konstatojnë se cili program përputhet me interesat e tyre personale dhe të komunitetit, dhe pastaj ta votojnë atë parti. Z.Vukpalaj kërkoi nga votuesit e rinj të votojnë vetëm në bazë të preferencave personale, pa u ndikuar nga rrethi, ideologjitë e statutet por vetëm nga ofertat e secilës parti. Prandaj, në gjendjen momentale në Kosovë është e rëndësishme të votohet për partinë që u zgjidh problemet dhe merret me interesat personale të votuesit përkatës.