Dita e Tokës shënohet çdo vit më 22 prill me qëllim që të rritet ndërgjegjësimi për sfidat mjedisore me të cilat përballemi si dhe për mënyrat se si ato mund të tejkalohen.
Shkatërrimi i mjedisit i shkaktuar nga njerëzit është një problem global dhe i vazhdueshëm. Aktiviteti i pakontrolluar antropogjen ka ndikuar tashmë shumë në mjedis përmes ndotjes fizike, djegies së lëndëve fosile, shpyllëzimit, industrisë dhe mbipërdorimit të resurseve natyrore. Aktivitete si këto kanë shkaktuar ndryshime klimatike, erozion të tokës, zhdukje të habitateve dhe specieve, cilësi të dobët të ajrit dhe ujë të papijshëm në shumë vende.
Dita e Tokës është një mundësi e mirë për të bërë thirrje tek qytetarët dhe institucionet për rolin që ata mund ta marrin për mbrojtjen e ambientit dhe të krijojnë një mjedis të qëndrueshëm. Debate Center bën thirrje që të ndërmerren veprime nga të gjitha nivelet për të kontribuar për një shoqëri më të gjelbër, në mënyrë që përmes një bashkëpunimi të ndërsjellë edhe vendi ynë të arrij t’i përmbushë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm Mjedisor dhe si shtet të arrijmë progres në fushën e mbrojtjes së ambientit.
Qasja jonë ndaj ambientit duhet të ndryshojë që të arrihet një ekuilibër midis nevojave ekonomike, sociale dhe mjedisore të brezave të tanishëm në mënyrë që të sigurojmë një mjedis që nuk cënon brezat e ardhshëm në Tokë.