Demokracia është një koncept shumëdimensional dhe një sistem me përmasa universale e idealizëm i të vetmit idol – popullit. Ky koncept shpesh ngatërrohet me lirinë e që të dyja janë më shumë se sa ideale për t’u vlerësuar, madje ato mund të jenë thelbësore për mbijetesën.
Liria në demokraci është thelbësore për funksionim dhe garanci për një shoqëri të hapur dhe pluraliste, e këtë na e bënë ta kuptojmë edhe shprehja e Aristotelit se “baza e një shteti demokratik është liria” përmes së cilës manifestohet progresi individual dhe shoqëror. Mirëpo, një gjë duhet kuptuar se liria e njeriut nuk qëndron në faktin se individi mund të bëjë cfarë të dëshiroj, por në faktin se nuk është i detyruar të bëjë atë që nuk dëshiron dhe kjo është thelbësore. Liria e fjalës dhe e shprehjes së mendimit paraqet një nga të drejtat esenciale të njeriut e cila ka rol të pakontestueshëm në realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tjera.
E drejta e fjalës së lirë mbi të gjitha lejon qytetarët e vendeve demokratike të kritikojnë udhëheqësit e tyre të cilët i zgjedhin vetë dhe po kjo liri për të kërkuar llogaridhënie është ajo që e zvogëlon mundësinë që liderët shtetërorë të mos shëndrrohen në keqpërdorues të pozitës publike. Andaj që një demokraci liberale të funksionoj siç duhet qytetarët duhet të kenë lirinë që të mendojnë në mënyrë kritike, mendim ky i cili përfshin një mori aftësish që lidhen me një nivel të lartë të të menduarit, ndikimi i të cilit mund të jetë aq e madhe sa të ndryshojë një mënyrë të caktuar të qeverisjes.
Demokracia është ajo që e nxit shpirtin e iniciativës nëpërmjet ndjenjës së fortë të lirisë, është vendi ku dëgjohet zëri dhe fjala edhe kur kemi të bëjmë me përplasje mendimi, ndërsa tipar dallues i mendimit kritik është gatishmëria për të sfiduar idetë e të tjerëve, pasi si i tillë nuk nënkupton pranimin pasiv të argumenteve por vënien në pikëpyetje të tyre dhe vlerësimin e kujdesshëm e që të pakta janë gjërat e pamundura kur mendja njerëzore përcakton një vëllim të frymëzuar nga një vendosmëri e paepur. Gjithsesi, siç është shprehur edhe John Kennedy “Jeta në liri nuk është e lehtë dhe demokracia nuk është e përsosur” mirëpo jeta në demokraci është gjithmonë një mundësi për të ardhmen, lejim për të arritur atë çka dëshiron në rrugët që ajo të ofron sepse demokracia nuk ka vetëm të drejta dhe liri por edhe rregulla e ligje, kështu që aftësia e njeriut për të qenë i drejtë e bënë demokracin të mundur. Mirëpo, aftësia për të qenë i padrejtë e bënë atë të nevojshme, andaj demokracia sot nuk është vetëm e mundur por mbi të gjitha thelbësore, e cila shënon progres atëhërë kur qytetarët janë aktiv pasi që në të kundërtën nëse demokracia cenohet mund të rivendoset vetëm me më shumë demokraci.
Si përfundim demokracia nuk është thjeshtë një trajtë e regjimit politik e ngritur mbi parimet e lirisë dhe barazisë , por shumë më tepër. Demokracia është zëri i njerëzve në veprim, zëri i atyre që kanë diçka për të thënë, e meqenëse askush nuk pretendon se ajo është perfekte por se është sistemi më progresiv që ka njohur njerëzimi deri më tani, andaj si e tillë ajo është e mirë e jona më e vlefshme, e kemi obligim dhe detyrë për ta ruajtur.
Autore: Lindita Zeka