Nga autorë të ndryshëm e në fjalorë të ndryshëm, demokracia e ka thuajse të njëjtin kuptim “… nga populli, me popullin dhe për popullin…” Por, edhe pse subjekti nuk ndërron, shumicën e herës kjo ndryshon në “nga populli, me popullin, por jo edhe për popullin…” sepse historia ka treguar që një numër i madh lëvizjesh shtypëse ndaj popullit, në fakt e kanë pasur po popullin me vete. Mund të përmendim fashistët në Itali dhe nazistët në Gjermani para dhe gjatë Luftës së II Botërore. Megjithëse me më pak dell shkatërrues, shumë e shumë rrethana politike prodhohen edhe në ditët e sotme e të cilat nuk i kontribuojnë demokracisë.
Mu për shkak të mungesës së mendimit kritik, një pjesë e madhe e shoqërisë – ndonjëherë pjesa më e madhe – e lë veten të eksploatueshme nga narrativa populiste të cilat megjithëse formalisht demokratike mund të prodhojnë rrethana gradualisht shtypëse.
Sistemi i dobët arsimor edhe në Kosovë ka cunguar e prangosur mundësinë e të menduarit në mënyrë kritike shumë të rinj qysh në fillim të shkollimit të tyre. Për fat të mirë, sistemi arsimor nuk është tëkequr apo dobësuar me qëllime politike, por sidoqoftë shfrytëzimi politik i një situate në të cilën prodhohen gjenerata të tëra pa mendim kritik është shumë i mundshëm. Ajo që mund të përmend këtu në veçanti si një problem i madh me sistemin arsimor është procesi i notimit. Jo domosdo notimi per se. Notimi mund të jetë një proces shumë normal dhe legjitim kur zbatohet në kushte të favorshme, por në Kosovë, në mënyrë të padrejtë ka përcaktuar jo vetëm perceptimin e një nxënësi të caktuar në shkollë, por edhe vendin ku ai do të ulej, miqtë që do të bënte dhe vet perceptimin e prindërve të tij, dhe më e rëndësishmja trajtimin nga mësuesit e tij.
Ne nuk u mësuam dhe nuk u edukuam të mendonim në mënyrë kritike dhe të pavarur; ne qysh atëherë u trajnuam dhe u detyruam të mësonim në një mënyrë të caktuar që do të na vinte në dobi për provimet dhe testet që do të kishim. Kjo mënyrë e të menduarit u legjitimua nga të gjithë të përfshirë në proces. Autoritetet e shkollës, mësuesit, prindërit dhe nxënësit dhe, pikërisht ky proces ndikon në të menduarit kritik. Kjo çështje mund të shihet si një problem jo i madh, mirëpo në fakt gjeneron një varg problemesh të shumta.
E ardhmja e shumicës së nxënësve varet nga një proces i cili mund të mos jetë i mirëmenduar dhe që ndikon në vazhdimësi. Demokracia mbart në vete lirinë, dhe prandaj institucionet arsimore duhet të marrin parasysh edhe kontesktin socio-kulturor me gjithë specifikat e caktuara ne vendin tonë. Nuk mjafton thjeshtë të adaptojë praktikat e ndryshme nga vendet më të zhvilluara; mendimi im është se duhet një adoptim më praktik dhe më i menduar e kujdesshëm.
Autore: Lularta Buja